KEK po operon me pesë njësi prodhuese, prodhimi ditor mbi 20,000 MWh

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 janar 2026

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht po operon me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike njëkohësisht, duke arritur një prodhim bruto ditor prej mbi 20,000 MWh. Sipas njoftimit zyrtar, kjo është në përputhje të plotë me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese.

“Këto ditë KEK operon me pesë njësi prodhuese për 9 ditë gjatë periudhës nga 19 dhjetori 2025 përmes disa ndërhyrjeve të shkurtra operative, dhe për 7 ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi të operimit,” thuhet në njoftim.

KEK thekson se kjo përfaqëson një gjendje të rrallë operative, duke marrë parasysh moshën e njësive dhe kompleksitetin teknik të sistemeve ekzistuese.

“Njësia A4 ka startuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në orët e para të mëngjesit, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i Njësive B1 dhe A4, brenda një afati optimal operacional, dëshmon kapacitetin e lartë profesional të stafit teknik dhe menaxherial të KEK sh.a., planifikimin e saktë operacional dhe menaxhimin efikas të proceseve të sanimit,” vijon njoftimi.

KEK gjithashtu sqaron se normalisht operon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave të uljes së temperaturave është angazhuar maksimalisht për të vënë në funksion edhe njësinë e pestë.

Scroll to Top