Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 korrik 2025
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se më 1 dhe 2 korrik 2025 ka arritur të mbulojë plotësisht, madje me suficit, kërkesat për energji elektrike të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), duke u mbështetur ekskluzivisht në prodhimin e brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KEK, më 1 korrik është prodhuar një sasi prej 10,628 MWh, ndërsa kërkesa ka qenë 9,450 MWh, që përbën një mbulim prej 112%. Edhe më 2 korrik, prodhimi mbeti në të njëjtat nivele me 10,628 MWh, ndërsa kërkesa ishte 9,791 MWh, duke sjellë një mbulim prej 109%.
Ky rezultat, sipas KEK-ut, është veçanërisht i rëndësishëm për shkak se njësia B2 në Termocentralin Kosova B është aktualisht jashtë funksioni për shkak të punimeve në projektin kapital të turbinës. Megjithatë, njësitë tjera – B1 në TC Kosova B dhe A3 e A5 në TC Kosova A – po operojnë me sukses të plotë.
“Ky realizim është dëshmi e përkushtimit të stafit dhe menaxhimit për të garantuar siguri energjetike dhe furnizim të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë e vendit,” thuhet në njoftimin zyrtar.
KEK thekson se po zbaton projekte të mëdha të rehabilitimit dhe modernizimit të njësive prodhuese, të cilat synojnë përmirësimin e performancës teknike dhe ambientale të pajisjeve, si dhe zgjatjen e jetëgjatësisë teknike të njësive B1, B2 dhe A3 për së paku edhe 20 vjet.
“Përkundër sfidave teknike dhe teknologjike që rrjedhin nga mosha mbi 40 deri në 60 vjet e pajisjeve prodhuese, KEK mbetet i përkushtuar për rikthimin e shpejtë të çdo njësie në operim dhe për realizimin e investimeve strategjike që garantojnë një të ardhme energjetike të sigurt dhe të pavarur për Kosovën,” përfundon njoftimi.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur kërkesa për stabilitet energjetik në vend është në rritje, dhe suksesi i KEK-ut konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të sektorit energjetik të Kosovës.