Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
17 tetor 2025
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Ekonomia Online se kërkesa e dorëzuar nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit ka qenë e pritshme.
Sipas tij, Gjykata, në këso rastesh, mund të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e punës së Kuvendit dhe të gjitha veprimeve që lidhen me formimin e Qeverisë së re.
“Veç ka qenë e pritshme sepse është paralajmëruar javë më parë që ky subjekt parlamentar ka me parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, domosdo në këso rrethanash kur jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit. Normalisht që edhe parashtrohet kërkesa që të vendoset masë e përkohshme që të mos ketë pasoja juridike në të ardhmen sa i përket veprimeve që mund të prodhojnë deputetët e Kuvendit, por gjithashtu edhe presidentja si dhe vetë mandatarit për formimin e qeverisë. A do të ketë masë të përkohshme, mbetet me pa nëse e vlerëson të nevojshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Zakonisht Gjykata në këto raste vendos ex officio, madje edhe sipas kërkesës së palëve, por edhe në mënyrë zyrtare vendos që të japë masë të përkohshme për të pezulluar efektet, që të themi, veprimet juridike të deputetëve dhe të Kuvendit në tërësi,” ka deklaruar Bugaqku.
Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të pritet brenda ditëve në vijim.
“Unë besoj që këto ditë, ose javën e ardhshme mund të kemi një njoftim nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse eventualisht do të vendoset masa e përkohshme sa i përket ecurisë së mëtejshme të formimit të qeverisë, punës së Kuvendit e të tjerave. Kërkesa është dorëzuar, dhe besoj që kjo kërkesë duhet të trajtohet në një afat sa më të shpejtë në atë mënyrë që të mos lejohet të hyjmë në një fazë tjetër ose të hyjmë në një procedurë tjetër të formimit të qeverisë dhe hipotetikisht nëse veç gjendet që ka shkelje Kushtetuese, atëherë do të duhej Gjykata të vendosë për t’i anuluar të gjitha pasojat ose të gjitha ato veprime që janë zhvilluar si pasojë e shkeljes së Kushtetutës,” ka shtuar ai.

















