Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 nentor 2025
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, për të parë nëse i ka votat e nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.
Përpjekja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar ekzekutivin duket se ka pak gjasa të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare. Vetë Konjufca pranoi gjatë kësaj jave se nuk është i sigurt se do të mund të bëhet kryeministër.
“Nuk mund ta them me saktësi, me përqindje apo probabilitet, sa janë gjasat që unë të bëhem kryeministër. Mendoj se Kosova do të ketë një qeveri, por kjo nuk varet vetëm nga Vetëvendosje. Këtë herë, vendimi nëse do të kemi qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje është plotësisht në duart e partive që i quajmë opozitare. Është zgjedhja e tyre”, deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se Vetëvendosja e ka përmbushur pjesën e saj të mandatit duke propozuar kandidatin për kryeministër. “Presidentja më mandatoi dhe kabineti im do të dalë në seancë kur të vendosim datën. Nëse do të votohemi apo jo, kjo u takon deputetëve të partive të tjera, meqenëse deri më tani nuk kemi pasur më shumë se 56 ose 57 vota”, tha ai.
Nominimi i Glauk Konjufcës nuk ka sjellë ndryshim në qëndrimet e partive shqiptare në Kuvend, të cilat vazhdojnë të deklarojnë se nuk do të mbështesin kandidatin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit.

















