Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të armiqësohet me SHBA-në

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

05 dhjetor 2025

Eksperti i politikës së jashtme, Edward Joseph, i ka cilësuar si të gabuara pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik nga ana e SHBA-së dhe ato që i ka cilësuar provokime nga ana e Kosovës.

Derisa ka komentuar marrëdhëniet mes dy shteteve, Joseph ka thënë se asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me SHBA-në. Ai ka rikonfirmuar atë që tha në Komitetin për Punë të Jashtme për kryeministrin Kurti.

“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë të enjten Edward Joseph, ligjërues në universitetin “Johns Hopkins” në SHBA.

Joseph, i cili ka qenë pjesë e diskutimit të ditës së martë në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka rikonfirmuar atë që tha se kryeministri Kurti shihet si pengues nga burokratët e DASH-it.

Ai theksoi se pezullimi i Dialogut Strategjik midis SHBA-së dhe Kosovës përbën provën më të fundit të pakënaqësisë amerikane, duke thënë se një vendim i tillë ishte i gabuar.

“Para së gjithash, ishte një nder të isha i ftuar të dëshmoja para nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e jashtme. Seanca ishte shumë e rëndësishme dhe pati interes të madh për Ballkanin si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët. Së dyti, dua të jem i qartë se Kosova mban zgjedhje këtë muaj dhe nuk dua të ndërhyj me komentet e mia. Dhe së treti, përgjigjja ime dje ishte e drejtpërdrejtë, sepse edhe pyetja ishte e tillë nga kryetari i nënkomisionit, Keith Self,” u shpreh ai.

Sipas tij, ishte e pamundur t’i përgjigjej ndryshe pyetjes nëse Departamenti i Shtetit e sheh kryeministrin Kurti si pengues.

“Si mund të thuash ‘jo’ kur faktet janë të njohura? Pezullimi i Dialogut Strategjik në shtator është vetëm shembulli më i fundit. Ka pasur kritika të mëparshme dhe masa të vendosura si nga SHBA, ashtu edhe nga BE-ja ndaj Kosovës,” tha ai.

Ai sqaroi se qëndrimet e tij nuk përbëjnë ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës, por burojnë nga interesi për stabilitet dhe zhvillim në rajon, si dhe për mbrojtjen e interesave strategjike të SHBA-së.

“E kam bërë shumë të qartë: është gabim të pezullohet dialogu strategjik me Kosovën, ndërkohë që vazhdohet me atë të Serbisë, sidomos kur incidentet në terren vijojnë. Madje përmenda edhe rastin e rrëmbimit të supozuar të një qytetari serb të Kosovës në veri,” përfundoi ai.

Scroll to Top