Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
”9 qershor 2025
Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.
Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë
Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.
Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.
MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është angazhuar për mbrojtjen e Spahiut