Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar pas shpërndarjes së lajmeve që fundviti në Kosovë do të shoqërohet me temperatura ekstreme deri në –20°C dhe borë, duke thënë se këto informacione kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim te qytetarët.
Sipas IHMK-së, instituti është i vetmi organ kompetent që mund të bëjë parashikime dhe paralajmërime zyrtare për motin në Kosovë, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike. Çdo njoftim i bërë nga individë apo subjekte të tjera konsiderohet i jashtëligjshëm dhe jo profesional.
IHMK nënvizon se parashikimet e motit bazohen në standarde ndërkombëtare të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), duke përdorur të dhëna nga satelitë, radarë dhe sensorë tokësorë. Saktësia e parashikimeve është më e lartë për periudha 1–3 ditore (80–90%) dhe zvogëlohet për periudha më të gjata.
Llojet e parashikimeve zyrtare:
- Afatshkurtër (0–3 ditë): Shumë i saktë, përdoret për motin ditor.
- Afatmesëm (4–7 ditë): Saktësi mesatare, për modele të gjera moti.
- I zgjatur (8–14 ditë): Saktësi më e ulët, jepen vetëm tendenca.
- Afatgjatë / Perspektivë: Bazuar në modele klimatike, jepen probabilitete, jo kushte të sakta.
IHMK rikujton qytetarët që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare për motin dhe paralajmërimet e hershme për fatkeqësitë natyrore me origjinë hidrometeorologjike, duke theksuar se standardet shkencore nuk lejojnë parashikime të sakta për periudha më të gjata se 7–10 ditë.

















