I arrestuari për spiunazh, Fatmir Sheholli prej spitalit kthehet paraburgim

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 tetor 2025

Fatmir Sheholli, i cili u arrestua nën dyshimin për spiunazh, është kthyer nga spitali në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar  zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës Florent Gashi.

“Pas disa ekzaminimeve dhe trajtimeve në spitalin e Gjilanit, ai është kthyer në Qendrën e Paraburgimit”, deklaroi Gashi

Sheholli, dy ditë pas arrestimit më 11 tetor kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe ishte hospitalizuar në spitalin e Gjilanit e më pas më 13 tetor  ishte transferuar në QKUK.

Ndaj tij, është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli thuhet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.

Sipas Prokurorisë, Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online.

Përveç kësaj, Sheholli thuhet se nga ky person ka marrë edhe një shumë të hollash si shpërblim për publikimin e tyre të cilat më pas janë publikuar në disa prej mediave online në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, me dashje dhe vetëdije, Sheholli ka ndihmuar BIA-në duke zbatuar udhëzimet e tyre dhe rrjedhimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës e po ashtu edhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.

Me këto veprime Sheholli dyshohet se ka kryer veprën penale “Spiunazh” nga neni 124 par. 3 të KPRK-s.ë

Ndërsa, sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës me 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve ellektronike, dokumentacion dhe sende të tjera të cilat do të dërgohen në ekzaminim.

Scroll to Top