Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 mars 2025
Emërimi i Irfan Lipovicës në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ngritur shqetësime për proces të paligjshëm. Lidhur me këtë ka reaguar iniciativa ‘Corrwatch’.
“CorrWatch ka reaguar publikisht edhe më 26 nëntor 2024 duke kërkuar rishqyrtimin e procesit. Kjo pasi që CorrWatch kishte evidentuar se MINT ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, veçanërisht kërkesat për përvojën e punës në pozita drejtuese. Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak ishin përfshirë dy (2) kandidatë, por vetëm njëri prej tyre i kishte plotësuar kushtet ligjore. Përkundër kësaj, në vend se të anulohej procesi për shkak se kishte vetëm një kandidat i cili kishte plotësuar kriteret, dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit”, thuhet në reagim.
Lipovica është emëruar dje drejtor në mbledhjen e Qeverisë. Ai ishte arrestuar për dyshimet me dallevere në rezervat shtetërore.

















