Hyseni-Kryeziu: Propozimi i LDK-së për qeveri teknike është i papranueshëm

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

07 maj 2025

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu, propozimin e kryetarit të LDK-së për krijimin e një qeverie teknike e ka cilësuar të papranueshëm dhe të dëmshëm për procesin e konstituimit të Kuvendit.

Në një intervistë për RTK-në, ajo deklaroi: “Përgjigjja që është marrë sot nga kryetari i LDK-së ka treguar edhe njëherë që ata nuk janë të gatshëm të ecin përpara dhe se për ne është e papranueshme që të jepet një propozim për qeveri tranzicionale ndërkohë që po flasim për një mundësi bashkëpunimi në mes të dy subjekteve politike, që situata të zhbllokohet e të ecim përpara me procese të tjera”.

Ajo theksoi se LVV-ja do të vazhdojë përpjekjet për të zhbllokuar situatën: “Megjithatë ne do të vazhdojmë të provojmë që situata të zhbllokohet”.

Sipas saj, përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit u takon të gjithë deputetëve: “Çështja e konstituimit të Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, dhe mendoj se secili duhet ta ketë të drejtën e plotë të veprojë ashtu siç ata mendojnë të veprojnë, sepse ne e dimë që brenda Kuvendit, brenda partive politike ka deputetë që kundërshtojnë qëndrimet që subjektet politike të tyre i mbajnë dhe mendojnë se duhet të veprohet ndryshe në drejtim të zhbllokimit të situatës”.

Hyseni-Kryeziu kritikoi ashpër LDK-në, duke thënë se “nëpërmjet përgjigjes ne kemi kuptuar që LDK nuk ka ndryshuar dhe nuk është e interesuar të ecë përpara, në kuptimin e veprimeve konkrete që shkojnë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, por duan të vazhdojnë të kontribuojnë edhe më tej në mbajtjen pezull të procesit të konstituimit të Kuvendit.” Ajo shtoi se “këta nuk duan një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por ndoshta duan të rikthehen në ato tipat e koalicioneve që janë mësuar të funksionojnë më shumë se sa mund të funksiononin me neve”.

Duke folur për letrën e Abdixhikut, ajo tha: “Ne kemi provuar vazhdimisht që të japim opsione për të zhbllokuar situatën, sigurisht se nuk është që nuk është shqetësuese që po hyjmë në seancën e 12-të me radhë nesër. Por besoj që këtu nuk ka arsye për të mos e shtyrë përpara këtë proces. Në anën tjetër, kjo letra që sot u dërgua prej zotit Abdixhiku për krijimin e një qeverie teknike, e tregon se ndoshta këtu është synimi, që ata të futen të gjithë në lojë, por ky nuk është veprimi i duhur sepse unë të pres nga një parti që ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, të udhëheqë një fushatë konsultimesh me subjektet për të krijuar kinse një qeveri që do të krijonte kinse stabilitet, sepse pikërisht kjo parti po kontribuon në destabilizimin e Kuvendit”.

E pyetur nëse zgjedhjet janë opsion real, Hyseni Kryeziu u shpreh: “Për neve asnjëherë s’kanë qenë zgjedhjet opsioni i parë, gjithmonë kemi munduar mundësitë për të parë se si mund të shtyhet tutje ky proces, por nëse e shohim që nuk ka tjetër rrugë dhe tjetër zgjidhje, le të shkojmë në zgjedhje sepse nuk mund të vazhdojmë kështu pafundësisht, por meqë ky nuk është opsioni i parë i LVV-së, ne do të provojmë përsëri të shohim se çfarë mund të bëhet që situata të zhbllokohet”.

Scroll to Top