Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 gusht 2025
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë dalë sot me një komunikatë të përbashkët lidhur me deklarimet publike të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik kishte ngritur shqetësime për prezencën e telave elektrikë të zhytur në ujë në Liqenin e Ujmanit.
Sipas komunikatës zyrtare, Policia e Kosovës kishte nisur menjëherë hetimet nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, pasi përmes mediave ishte raportuar se telat mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve. Zyrtari i Shoqatës së Peshkatarëve është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, ku ka sqaruar se telat i kishte vërejtur gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje dhe se, sipas tij, nëse aktivizoheshin, mund të shkaktonin rrezik për banorët.
Policia ka marrë edhe një video lidhur me rastin dhe ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren. Njësitë e kontrollit kufitar ujor kanë kryer inspektime dhe kanë konstatuar se telat nuk janë të lidhur me ndonjë burim të energjisë elektrike dhe, si të tillë, nuk përbëjnë rrezik.
Prokuroria, pas analizimit të provave dhe informacioneve të mbledhura, ka konkluduar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale në këtë rast. Në komunikatë theksohet se edhe më parë nuk është raportuar ndonjë rast i ngjashëm.
Policia e Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos ndihen të shqetësuar apo të frikësuar, duke garantuar se çdo informacion apo rast i dyshimtë do të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm maksimal. Po ashtu, njësitë e kontrollit kufitar dhe ato të patrullimit vazhdojnë monitorimin e përditshëm të Liqenit të Ujmanit për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve.

















