Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
19 nentor 2025
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është takuar sot me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ku ka theksuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati kryesor i vendit. Përmes një njoftimi, Hamza deklaroi se PDK-ja do të vazhdojë qasjen konstruktive në skenën politike, duke mbështetur dialogun, bashkëpunimin dhe kompromisin — gjithmonë brenda vijave të kuqe të partisë.
“Kushtetuta dhe ligjet e Republikës janë vijat tona të pakalueshme. Çdo veprim që i cenon ato është i papranueshëm. Prandaj sot nuk morëm pjesë në seancën e parë të Kuvendit,” shkroi Hamza, duke e lidhur bojkotin me qëndrimin parimor të partisë.
Ai shtoi se zgjedhjet e reja mbeten rruga e vetme për të zgjidhur krizën politike dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane në këtë fazë. “Kosovës i duhet stabilitet, zhvillim ekonomik dhe partnerët e saj,” u shpreh Hamza, duke falënderuar ShBA-në për rolin e saj.
PDK, bashkë me subjektet tjera opozitare, bojkotoi sot seancën ku pritej të votohej buxheti.

















