Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 dhjetor 2025
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se gjatë vizitës dyditore në Uashington ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës dhe për ringritjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza theksoi se Kosova do të rikthehet në Uashington më e fuqishme se kurrë, me projekte konkrete, investime të prekshme dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së në avancimin e diplomacisë, ekonomisë, energjisë, ushtrisë dhe sektorit të inteligjencës. “Dje përfundova vizitën time të shkurtër, por intensive në Washington D.C., ku e pashë të domosdoshme të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës dhe për thellimin e partneritetit me administratën amerikane”, tha ai.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Hamza u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Ai njoftoi se mori pjesë edhe në një takim të rëndësishëm me James Carafano, këshilltar i lartë i presidentit amerikan dhe E.W. Richardson Fellow në Fondacionin “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë me administratën Trump.
Në takim ishin të pranishëm edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion.
Hamza u shpreh se është kthyer shumë optimist për mundësitë e reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, sidomos pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.
“Shteti ynë do të rikthehet në Washington më i fuqizuar, me ide të qarta, projekte të gatshme dhe me partneritet të thelluar me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat kyçe”, deklaroi ai.


















