Hamza: Jam i gatshëm për krijimin e qeverisë, jam në komunikim me partitë opozitare

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

28 mars 2025

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë sot se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë, nëse këtë nuk arrin të bëjë Vetëvendosja, e cila ka dalë e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Hamza tha se ai është kontakt me opozitën për formimin e qeverisë së re.

“Bazuar në situatën gjeopolitike dhe ekonomike, në të cilën ndodhet vendi, Kosova ka nevojë për institucione. Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetuese.Jam i gatshëm si kandidat për kryeministër t’i marr përgjegjësitë për krijimin e qeverisë, jam në komunikim me partitë opozitare që ne ta bëjmë qeverinë dhe t’i formojmë institucionet e vendit. Kosova nuk e ka komoditetin që Kosova të ketë vakuum institucional”, tha Hamza në një konferencë për media.

Ai tha se çdo vonesë në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë është e paarsyeshme dhe dëmton vendin.

“Unë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, dje kam hequr dorë nga pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse unë jam kryetar i Komunës së Mitrovicës. Komuna do të shkonte në zgjedhje. Do të ishte e padrejtë që brenda një periudhë të shkurtë, ndoshta më pak se 6 muaj, komuna të shkojë dy herë në zgjedhje. Do të ishte pengesë për zhvillimin e projekteve, por edhe barrë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe maltretim i qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë ai.

Scroll to Top