Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
24 nentor 2025
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se më 28 nëntor, në orën 09:30, do të zhvillohet konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, i akuzuar për pengim të drejtësisë. Në të njëjtin proces gjyqësor janë të përfshirë edhe Fadil Fazliu, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Hajredin Kuçi.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykatësi i vetëm i çështjes, Kristofer Gosnell, ka përcaktuar edhe afatet për paraqitjen e parashtrimeve të palëve. Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të dorëzojë materialet deri më 20 nëntor, ndërsa mbrojtja deri më 24 nëntor. Këto dokumente pritet të adresojnë pikat kryesore të rendit të ditës, përfshirë gatishmërinë e palëve për fillimin e gjykimit gjatë javës që nis më 15 dhjetor.
Kjo nuk është hera e parë që Dhomat e Specializuara caktojnë seanca në ditë festash për Kosovën. Më herët, një seancë e programuar më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së vendit, ishte anuluar pas reagimeve publike.

















