Përplasjet mes Prokurorisë dhe Mbrojtjes në Hagë – kërkohet shtyrje e afateve për listat e dëshmitarëve
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kritikuar ashpër kërkesën e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së për shtyrje të afateve në dorëzimin e listave të dëshmitarëve dhe materialeve mbrojtëse. Kjo, pavarësisht se vetë Prokuroria ka dorëzuar me mijëra dokumente në ditën e fundit të afatit.
Prokuroria kërkon që deri më 21 korrik, mbrojtja të dorëzojë materialet për Prokurorinë, ndërsa listat e plota të dëshmitarëve dhe dorëzimi final i provave të bëhen deri më 18 gusht.
Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse kanë reaguar duke theksuar vështirësitë në sigurimin e dokumentacionit përmes procedurave të Rregullës 107 dhe mungesën e bashkëpunimit nga institucionet që duhet të ofrojnë materiale.
Sipas mbrojtjes, numri total i dëshmitarëve pritet të jetë 20 deri në 25, ku rreth 15 do të dëshmojnë drejtpërdrejt. Mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë, ajo e Krasniqit deri në 10 (me maksimum 5 në sallë), ndërsa ekipet e Veselit dhe Selimit aktualisht nuk kanë parashikuar dëshmitarë.
Mbrojtja ka kërkuar që lista e dëshmitarëve të dorëzohet më 18 gusht, ndërsa dëshmitari i parë i mbrojtjes të paraqitet në javën e 15 shtatorit, nëse lejohet nga gjyqtarët.
Ndërkohë, pritet vendimi i trupit gjykues mbi mocionin e dorëzuar nga avokatët më 12 qershor për hudhjen e akuzave. Prokuroria ka afat deri më 7 korrik për të dorëzuar përgjigjen e saj, ndërsa vendimi i gjykatës pritet në javën e 14 korrikut.
Në rast të refuzimit të mocionit, Mbrojtësi i Viktimave do të thërrasë dëshmitarët e tij më 16 korrik, ndërsa ekipet mbrojtëse do të duhet të njoftojnë nëse do të paraqesin prova. Gjykata planifikon të mbajë Konferencën Përgatitore të Mbrojtjes në javën që fillon më 21 korrik.