Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
03 shkurt 2026
Njëzet e një persona të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit në komunën e Mitrovicës janë liruar për t’u mbrojtur në liri.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjyqtari kompetent ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 21 të dyshuarve, duke vendosur që ata të mbrohen në liri.
“Falsifikim i rezultateve të votimit – Qendra e numërimit në Mitrovicë, më 29.12.2025, nga ora 02:01 deri në 08:00. Më 02.02.2026, gjyqtari kompetent ka refuzuar kërkesën e prokurorit për paraburgim dhe të dyshuarit janë liruar të mbrohen në liri”, thuhet në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, Policia ka njoftuar se lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në komunën e Malishevës, është arrestuar edhe një person tjetër.
“Sot, më 02.02.2026, në vazhdimësi të hetimeve, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar për veprën penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Në ditët e kaluara, Policia ka ndaluar dhe ka caktuar paraburgim edhe ndaj disa komisionerëve dhe vëzhguesve të qendrave të numërimit në Prizren dhe në komuna të tjera të Kosovës.

















