Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 maj 2025
Gjatë një shpimi për vendosjen e kabllove elektrike në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, janë zbuluar struktura arkeologjike. Punimet janë kryer pa lejen e institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndonëse zona në fjalë është e mbrojtur. Leja për këto ndërhyrje është dhënë nga Komuna e Prishtinës. Pas këtij zbulimi, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet, ndërsa Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke hartuar një raport për rastin.
Megjithatë, edhe pas vendimit për ndalimin e punimeve nga Inspektorati, Komuna e Prishtinës nuk e ka respektuar këtë masë në rrugën “Qamil Hoxha”. Si rezultat, Inspektorati i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm ligjorë.
Gjatë shpimeve nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë, janë zbuluar struktura arkitektonike me rëndësi arkeologjike. Punimet për vendosjen e një kablloje të energjisë elektrike janë kryer pa lejet e nevojshme nga institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ndërhyrja është zhvilluar edhe gjatë ditës së diel, ndërsa të hënën është ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Zona ku janë bërë këto punime ka status mbrojtjeje të dyfishtë, pasi ndodhet brenda Qendrës Historike të Prishtinës dhe në afërsi të Xhamisë së Çarshisë (e njohur edhe si Xhamia e Gurit). Qendra Historike është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme që nga viti 2020, ndërsa Xhamia e Çarshisë është nën mbrojtje të përhershme që nga viti 2023.
Punimet janë realizuar nga një kontraktor i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), me leje të dhënë nga Komuna e Prishtinës. Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke përgatitur një raport për rastin. Megjithë ndalimin e lëshuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës ka lejuar vazhdimin e punimeve edhe në rrugën “Qamil Hoxha”, duke mos e respektuar vendimin e autoriteteve përkatëse.
Ora 10:40 e së hënës i ka gjetur inspektorët e trashëgimisë kulturore në terren. Janë njoftuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës “për gjetjen e strukturave arkitekturore, arkeologjike në afërsi të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë”

















