Gjashtë drejtori do të kalojnë në objektin që u shfrytëzua nga strukturat paralele në Zveçan

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

23 Janar 2025

Komuna e Zveçanit ka marrë nën menaxhim një objekt, i cili më parë përdorej nga strukturat paralele serbe. Kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, tha se në këtë objekt do të vendosen rreth 6 drejtori.

Janë zyrtarët policorë të cilët po kujdesen për këtë objekt trekatësh.

Kjo pasi e njëjta tashmë i ka kaluar Komunës së Zveçanit, derisa më parë përdorej ilegalisht si komunë paralele serbe.

Kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, tha për Tëvë1 se aty tani do të barten gjashtë drejtori.

“Kjo do të përdoret si objekt i Komunës, disa drejtori do t’i sjell këtu në momentet që kur fillon pastrimi ka disa gjëra derisa të përfundojnë. Për arsyeje se në objektin ku jemi për momentin është i vjetër dhe nuk ka zyre të mjaftueshme. Do të thotë këtu do të fillojmë me një pjesë, mirëpo pjesa tjetër do të mbetet atje. Ende nuk kemi specifikuar cilat drejtori, por 5-6 drejtori do t’i vendosim këtu”, ka thënë Peci.

Ai bëri të ditur se aksionet për rikthimin e pronave do të vazhdojnë.

“Unë e kam të planifikuar deri në fillim të muajit mars të gjitha objektet të cilat janë pronë e Komunës, të gjitha me i marrë nën menaxhim komuna e Zveçanit. Të gjitha me i përfshi, shumë pompa dhe objekte të tjera që të dihet se kujt i takojnë. Pikërisht për këtë nuk kemi marrë vendime. Tash mendoj se është koha dhe do t’i vazhdojmë këto procedura”, thotë kryetari i Zveçanit.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se Policia e Kosovës i përgjigjet çdo kërkese për asistim.

“Në veri është pak më interesant për arsye se në rast se dikush kërkon, shembull Komuna me asistuar, te një objekt që ata e kanë në pronësi dhe nuk kanë qasje, kur ne kemi shkuar aty ka ndodhë kemi gjetur struktura paralele. Në momentin që hasim në këto struktura paralele, ne njoftojmë Prokurorinë sepse jemi të obliguar për një gjë të tillë dhe Prokuroria vendos se si të ecet më tutje”, ka thënë Elshani.

Javë më parë, në një aksion në dhjetë komuna të vendit, u mbyllën 28 objekte të strukturave paralele serbe dhe pesë qarqe të strukturave ilegale serbe.

Scroll to Top