Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 dhjetor 2025
Grupi GIS i Kosovës (GGK) ka publikuar një hartë tematike që tregon liqenet artificiale kryesore në vend dhe kapacitetin e tyre ujor, duke nxjerrë në pah sfidat e qëndrueshmërisë afatgjate të burimeve ujore.
Sipas të dhënave të GGK-së, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh dhe më strategjik në Kosovë, me një kapacitet prej rreth 390 milionë metra kub ujë. Ai ndiqet nga Liqeni i Radoniqit, me 113 milionë metra kub, i cili ka rëndësi të veçantë për rajonin e Dukagjinit. Liqeni i Batllavës (35 milionë metra kub) dhe Liqeni i Badocit (30 milionë metra kub) janë burime kryesore për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës qendrore të Kosovës. Liqenet më të vegjël, përfshirë Vasilevën, Përlepnicën dhe Livoçin, megjithëse me kapacitete më të vogla, luajnë një rol të rëndësishëm për furnizimin lokal.
GGK-ja nënvizon se vëllimi total i liqeneve artificiale në Kosovë është rreth 577 milionë metra kub, që i bie afërsisht 360 metra kub ujë për banor. Kjo shifër është dukshëm nën kufirin ndërkombëtar të sigurisë ujore, i cili është mbi 1,000 metra kub për banor, duke ngritur shqetësime për menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e burimeve ujore në të ardhmen.


















