Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 shkurt 2025
Rezultati zgjedhor i 9 shkurtit po e bën pothuajse të pamundur formimin e institucioneve të reja.
Arben Gashi që ishte shef i Grupit parlamentar të LDK-së në legjislaturën e fundit e sheh të vështirë formimin e qeverisë së re, pasi, sipas tij, s’ka shumicë në asnjërën anë.
Megjithatë, Gashi thotë se Vetëvendosje e ka në dorë të gjejë partnerë dhe të krijojë koalicion.
“Vështirë është me pas qeveri në të gjitha opsionet, sepse s’ka shumicë në asnjërën anë. Duhet pritur rezultatin, por është shumë vështire me kriju qeverinë. Vetëvendosje e ka në dorë me kriju koalicion”, ka thënë Gashi .
I pyetur, se a do t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës së mundshme të Kurtit, për bashkëqeverisje mes VV-së e LDK-së, Gashi thotë se s’ka kuptim një marrëveshje mes dy subjekteve, pas deklaratave të Kurtit.
Në situatën aktuale, ai thotë se opsioni i parë janë zgjedhjet.
“Nuk ka kuptim qeverisja e LDK-së me Vetëvendosjen pas deklaratave të Kurtit. Opsioni i parë sapo shoh janë zgjedhjet, por të presim numërimin e votave dhe të shohim çka kanë vendosur qytetarët në kuti”, ka shtuar Gashi.
Kujtojmë se Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit pa llogaritur votat me kusht dhe të diasporës ka fituar 40.84% të votave, e pasuar nga PDK-ja më 22.05%, LDK më 17.67% dhe AAK më 7.45% të votave.
Ndryshe, tri partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të futen në koalicion me VV-në që do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë e re vetëm me minoritetet jo serbe.

















