Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 dhjetor 2025
Indeksi i Pasaportave Henley ka publikuar renditjen e re globale për fuqinë e pasaportave, ku Kosova renditet në vendin e 62-të në botë. Sipas këtij indeksi, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në 81 shtete, duke shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur pasaporta kosovare ishte në pozitën e 68-të.
Rritja në renditje tregon një përparim gradual në lëvizshmërinë ndërkombëtare të kosovarëve, ndonëse pasaporta e Kosovës mbetet ende pas shumicës së vendeve të rajonit.
Ndërkohë, nga shtetet fqinje, Kroacia ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u ngjitur në vendin e shtatë në botë në listën e pasaportave më të fuqishme. Me 184 pikë, pasaporta kroate renditet në të njëjtin nivel me vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke reflektuar një shkallë shumë të lartë të lirisë së udhëtimit global.
Në krye të renditjes globale vazhdon të qëndrojë Singapori, me 193 pikë, duke ruajtur pozitën e parë për disa vite radhazi. Ky pozicion i atribuohet marrëdhënieve të fuqishme diplomatike dhe stabilitetit ekonomik, që u mundëson qytetarëve të tij udhëtime pothuajse pa kufizime vizash në mbarë botën.


















