Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se viti që po e lëmë pas kishte suksese por edhe sfida për Kosovën.
Koha e parashikuar e leximit: 8 minuta
Ajo në një intervistë ekskluzive për klankosova.tv, përmendi specifikisht ballafaqimet me sfidat e sigurisë nga tendencat destabilizuese të Serbisë, duke mos lënë anash dhe sfidat ekonomike.
Në një reflektim të thellë të saj, ajo ndau synimet e vitit 2025, me prioritet mbrojtjen e territorit të Kosovës në çdo pëllëmbë.
Tutje rrëfimi i saj, bart edhe një mësim që thotë se mori nga koha e studimeve:
“Është ideja se liderët e mirë duhet të shërbejnë, jo të sundojnë”.
Për më shumë, gjeni të plotë intervistën ekskluzive të fundvitit të presidentes për klankosova.tv, ku flet për rrugëtimin e saj politik e më gjerë.
Si do ta përshkruanit vitin 2024 për Kosovën?
Viti 2024 ishte një me sfida por edhe me suksese për Kosovën. Në njërën anë, ballafaqimi me sfidat e sigurisë, të cilat vijnë nga tendencat destabilizuese të Serbisë, e nga ana tjetër sfidat ekonomike, na dëshmojnë se ka ende mjaft punë për të bërë për të forcuar të gjitha hallkat e shtetit tonë.
Por, angazhimi ynë ishte maksimal për të vazhduar forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.
Për mua prioritet mbetet mbrojtja e interesave të qytetarëve tanë, mbrojtja e secilës pëllëmbë të territorit tonë nëpërmjet institucioneve tona të sigurisë në bashkëpunim me partnerët, promovimi i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare si dhe adresimi i çështjeve kyçe si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe barazia.
Viti 2025 është një mundësi që të bëhen edhe shumë punë të tjera në dobi të qytetarëve dhe të promovohet potenciali i njerëvze tanë, sidomos i rinisë, e cila mbetet pasuria më e madhe e vendit.
Si e përjetoni rolin tuaj si grua në politikën kosovare dhe cilat janë sfidat dhe mundësitë që keni hasur?
Shoqëria jonë ka nevojë të çdoditshme për njohjen e potencialit dhe kontributit të grave në politikë, por edhe në çdo sferë tjetër, pra për gjithpërfshirjen dhe barazinë e plotë gjinore.
Sfidat janë të shumta, si për shembull paragjykimet dhe stereotipet që janë të shpeshta në profesione të ndryshme, por ato nuk duhet të na ndalin e të na dekurajojnë. Përfaqësimi i grave në institucionet publike është angazhim për të pasur një vend që meritojmë, ndaj me përkushtim shmanget çdo pengesë.
Posti i presidentes krijon mundësi të shumta për t’i promovuar vlerat dhe interesat në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Për më tepër, është një mundësi për të vazhduar luftën për barazi, sepse kjo nuk është vetëm një detyrë politike, por edhe një mision për të treguar se gratë janë forcë e veprimit për përparimin e një shoqërie.
A mund të ndani ndonjë kujtim të veçantë nga periudha e studimeve apo karrierës suaj që ka ndikuar në vendimet që keni marrë si presidente?
Sigurisht, ka shumë momente nga periudha e studimeve dhe karrierës që kanë ndikuar në formësimin tim profesional, por një kujtim i veçantë që më vjen ndër mend është përvoja ime gjatë studimeve në SHBA. Gjatë asaj kohe, pata mundësinë të mësoj nga disa prej mendjeve më të ndritura, por edhe ta njoh nga afër shtetin me një demokraci të qëndrueshme – përfshirjen qytetare, fuqinë e sundimit të ligjit dhe rëndësinë e një sistemi të fuqishëm e të paanshëm të drejtësisë. Fatmirësisht, pas studimeve master, kam bërë edhe doktoratën në SHBA, ndaj me këtë shtet më lidhin shumë gjëra jo vetëm nga aspekti profesional, por edhe politik. Përpiqem ta vazhdoj trashëgiminë politike të presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, i cili miqësinë me SHBA-të, e ka cilësuar si kruciale për sukseset e shtetit tonë drejt rrugëtimit euroatlantik.
Një nga mësimet që më ka mbetur gjithmonë në mendje është ideja se liderët e mirë duhet të shërbejnë, jo të sundojnë. Kjo filozofi më ka ndihmuar të orientoj vendimet e mia si presidente, duke u fokusuar gjithmonë te mirëqenia e qytetarëve dhe ndërtimi i institucioneve të forta që u shërbejnë atyre.
Përvoja ime në institucionet publike qysh nga viti 1999 më ka ndihmuar poashtu shumë që të përgatitem për sfidat që përshkojnë punën e institucionit të Presidencës. Prandaj, çdo vendim që marr përpiqem ta mbështes në ndjenjën e thellë të përgjegjësisë për të mbrojtur dhe avancuar interesat e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë.
Presidente Osmani, nëse do të kishit mundësi të ftonit një lider botëror për darkën e Vitit të Ri, kë do të zgjidhnit dhe pse?
Preferoj që darkën e Vitit të Ri, por edhe çdo moment të veçantë ta kalojë me familjen e ngushtë. Ata janë jo vetëm mbështetja më e madhe por edhe frymëzim i çdoditshëm për punën që bëj, prandaj edhe nuk ka festë më të mirë sesa ajo e kaluar me familjen.
Sa i përket liderëve botërorë, përgjatë këtyre katër viteve, por edhe në përvojën paraprake si deputete apo kur punoja në Presidencë me Presidentin Sejdiu, kam pasur mundësinë të takoj shumicën dërmuese të liderëve botërorë. Nuk do të paraqisja ndonjë preferencë tani, por ajo çka kam mësuar përgjatë këtyre viteve është se përveç interesave të shteteve e zhvillimeve gjeopolitike, ajo që ndikon shumë janë edhe lidhjet ndërnjerëzore që krijohen me këta liderë. Shpeshherë, dyert e mundësitë hapen për shtetin tonë për shkak të këtyre relacioneve të forta personale që krijojmë me këta liderë shtetesh. Gjëja më e rëndësishme tek relacionet në mes shteteve, njëlloj sikurse edhe në relacionet në mes njerëzve, është besimi i ndërsjellë.
Në këtë periudhë festive, cili është libri, filmi ose kënga që ju frymëzon më shumë?
Një libër që më ka lënë mbresa së fundi është “Educated” nga Tara Westover. Ky është një rrëfim autobiografik i fuqishëm për jetën e autores, e cila u rrit në një familje të izoluar në Idaho, pa arsimim formal dhe nën një regjim të ashpër kontrolli familjar. Ajo rrëfen udhëtimin e saj të jashtëzakonshëm për arsimim, duke thyer barrierat e vendosura nga familja dhe duke përfunduar doktoraturën në Universitetin e Kembrixhit. Ky libër është i jashtëzakonshëm, sepse frymëzon lexuesit ta vlerësojnë fuqinë e arsimit dhe të kuptojnë sa e rëndësishme është të gjesh kurajën për të ndjekur ëndrrat, pavarësisht pengesave.
Filmi që kam parë së fundmi dhe më ka lënë përshtypje është The Six Triple Eight. Ky film tregon historinë e jashtëzakonshme të batalionit 6888, një njësi e përbërë nga gra të guximshme, të gjitha me ngjyrë, që shërbyen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo që e bën këtë film të veçantë për mua është mënyra se si sjell në jetë një pjesë të historisë që shpesh është lënë në hije – sakrificën e këtyre grave për të përmbushur një mision të pamundur, duke përballuar diskriminimin dhe kushtet e vështira. Mesazhi i tij për forcën, guximin dhe rëndësinë e solidaritetit në kohë të sfidave është tejet frymëzues dhe universal. Është vështirë të gjej kohë për filma por po shpresoj që gjatë festave të gjej mundësi ta shoh sezonën e dytë të serialit “The Diplomat”’.
Përsa i përket muzikës, këto ditë, së bashku me vajzat dëgjojmë më shumë muzikë festash.

















