Eurodeputeti austriak kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 nentor 2025

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe “një ide të keqe”. Ai theksoi se këto masa janë të pamerituara, sidomos në krahasim me mungesën e sanksioneve ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi.

Pak ditë para përfundimit të mandatit të tij, ish-shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e masave ndaj Kosovës. Megjithatë, mungesa e konsensusit mes vendeve anëtare bëri që ato të mbeten ende në fuqi. Sipas njoftimeve të fundit nga Brukseli, masat do të hiqen vetëm pasi të sigurohet një transfer i rregullt i pushtetit në komunat veriore.

Mandl, ndërkohë, ka kërkuar një veprim më të shpejtë nga BE-ja. “Masat kundër Republikës së Kosovës kanë qenë gjithmonë një ide e keqe. Ato duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Në Bruksel, disa që më herët nuk e njihnin plotësisht situatën, tash po e kuptojnë absurditetin që regjimi i Vuçiqit nuk është sanksionuar, ndërsa Kosova është vënë në shënjestër”, ka deklaruar ai.

Eurodeputeti shtoi se po angazhohet për një të ardhme më të mirë për të dy vendet, megjithëse vlerësoi se Serbia po bën hapa prapa në demokraci. “Kosova ka treguar vazhdimisht pjekuri demokratike dhe besoj se proceset demokratike atje do të sjellin stabilitet afatgjatë. Serbia, përkundrazi, është shumë pas në aspektin e demokracisë dhe stabilitetit. Megjithatë, shoh një mundësi që lëvizja për liri në Serbi të triumfojë”, u shpreh Mandl.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023, pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri, kur kryetarët shqiptarë morën detyrën në katër komunat veriore në kushte të tensionuara.

Scroll to Top