Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 Janar 2025
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë – EULEX, ka bërë të ditur se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.
Sipas EULEX-it, këta policë do të punojnë krah për krah me NJPS-në, e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet.
“NJPSR-ja do të përbëhet nga asetet EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë”.
“NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë – duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Tutje, EULEX-i bëri të ditur se ky do të jetë dislokimi i pestë, kurse dislokimi i parë është bërë në mars të vitit 2022.

















