Enver Hoxhaj i bën ftesë publike Bedri Hamzës për debat: Hajde, ta vendosim një standard të ri

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 nentor 2025

Ish-kryediplomati, një nga politikanët më aktiv në vend, tash kandidat për kryetar të PDK-së Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike për Bedri Hamzës, kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së që të përballen në debat televiziv qysh javën e ardhshme.

Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri,” ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por duhet të trajtohet si ngjarje e madhe politike që ka rëndësi për gjithë Kosovën, sepse sipas tij, e tillë është.

“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së nuk duhet të jetë ngjarje e vogël, duhet të jetë ngjarje e madhe. Është garë e madhe politike në interes të Kosovës,” ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se synon që ky proces të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të shënojë mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri për vendin në vitin 2026.

Ai ka shtuar se një PDK e fortë u shërben edhe të paraburgosurve në Hagë.

Në pranverë, dua që ata ta shohin një PDK e cila është e fortë,” ka deklaruar Hoxhaj, duke përmendur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. 

Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, të premten mbrëma deklaroi se ai është ‘’i vendosur’’ që të garojë për kryetar të PDK-së, duke shtuar se duhet të prezantohet edhe platforma për të ardhmen e kësaj partie.

Zhvillimet politike dhe kriza në vend, janë arsyet pse Enver Hoxhaj po garon për të parin e PDK-së, duke qenë pjesë e kësaj partie që nga themelimi. 

Gjatë intervistës në Rubikon, Hoxhaj ka thënë se po të ishte në krye të PDK-së, Kosova nuk do të kishte krizë.

“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç”, tha Hoxhaj.

Scroll to Top