Në Bashkimin Evropian vazhdojnë të thonë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë të përkohshme dhe se ato mund të hiqen, varësisht veprimeve në terren. Për heqjen e masave, sipas zyrtarëve në Komisionin Evropian, është i nevojshëm pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.
Kështu tha më 15 nëntor zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.
“Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, u përgjigj Stano në pyetjen se a do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian apo do të pritet përbërja e Komisionit të ri.
Fati i rekomandimit që ka bërë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për heqjen e masave ndaj Kosovës mbetet i paqartë edhe pse për këtë po bisedohet vazhdimisht në grupet punuese të BE-së, ku marrin pjesë vendet anëtare.