Emri i saj përflitet për kryeparlamentare, deklarohet Shqipe Mehmeti – Selimi

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

22 prill 2025

Shqipe Mehmeti – Selimi tha se opozita nuk ka të drejtë të propozojë emra, qoftë të Lëvizjes Vetëvendosje, për pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje është rekomanduar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si një emër koncensual për të zhbllokuar ngërçin në themelimin e Kuvendit të Kosovës.

Por, ajo tha sot se Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka propozuar emrin për kryeparlamentar.

“Ne në politikë jemi për shkak se i përkasim një subjekti politik, partisë VV. E Vetëvendosje cilindo anëtarë që e propozon për cilindo post, ne i pranojmë dhe e kryejmë me nder secilën detyrë. Por këtë propozimin e AAK-së normalisht që kanë të drejtë të propozojnë, por jo në këtë rast”, tha ajo në një deklarim për portalin Indeksonline.

Sipas saj, partive opozitare u mbetet vetëm të votojnë rreth propozimit të LVV-së.

“Sepse në këtë rast i bjen që VV ta ketë propozimin për kryeparlamentar. Ne e kemi propozuar dhe tashmë e kemi propozimin dhe atë e mbështesim. Kjo është. Atyre u mbetet vetëm të votojnë për, kunder apo abstenim, siç e  përkufizon dhe kushtetuta”, tha Mehmeti – Selimi.

Scroll to Top