Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 qershor 2025
Komision Qendror i Zgjedhjeve më 26 qershor, do të hapë afatin për aplikim të subjekteve politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se për të gjitha këto, KQZ planifikuar afat prej 49 ditësh për subjektet politike. Sipas tij, është në vullnetin e subjekteve politike të vendosin se në cilat komuna do të garojnë.
Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Për dallim nga koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme partia politike e regjistruar është automatikisht e certifikuar. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna do të garojnë dhe të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për komunat përkatëse”, tha Elezi .