Eksperti amerikan Joseph: Anëtarësimi i Kosovës në NATO – prioritet kyç për tejkalimin e bllokadës me Serbinë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 dhjetor 2025

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën aktualisht më e rëndësishme se anëtarësimi në OKB është avancimi i saj drejt NATO-s.

Duke folur në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kishte në fokus temën “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, Joseph theksoi se integrimi i Kosovës në NATO do të ishte çelësi për zhbllokimin e marrëdhënieve me Serbinë.

I pyetur nga kongresmeni amerikan Bill Keating për rolin e SHBA-së në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, Joseph u shpreh se një rrugë konkrete drejt NATO-s do t’ia hiqte Serbisë hapësirën për të vazhduar fushatën e mosnjohjes.

“Qasja drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një hap i parë, do ta çonte drejt fundit bllokadën aktuale, pasi Serbia do të mbetej pa alternativa. Në atë moment, varësia e saj nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit do të humbiste çdo ndikim”, tha Joseph.

Ai shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën mbetet thelbësore për interesat strategjike amerikane.

“Duhet të kemi parasysh se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë mbajnë përgjegjësinë për sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Forcimi i kapaciteteve ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes bashkëpunimit dypalësh i shërben drejtpërdrejt edhe sigurisë sonë”, theksoi Joseph.

Scroll to Top