“E prangosëm, e vendosëm në ambulancë – ndërkohë njoftuan që s’ka shenja jete”, deklaratat e plota të pesë policëve

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

10 korrik 2025

Njëri nga pesë zyrtarët policorë të arrestuar lidhur me vdekjen tragjike të Agon Zejnullahut më 7 korrik në Lipjan, ka dhënë dëshminë e tij para Prokurorit të Shtetit.

Rreshteri Ibrahim Nela ka deklaruar se Zejnullahu ishte në gjendje të rënduar psikike dhe kishte sjellje të çrregullta në momentin kur patrulla e tyre kishte arritur në vendin e ngjarjes. Sipas tij, Zejnullahu fillimisht kishte ofenduar zyrtarët dhe kishte tentuar të hapte derën e veturës së policisë, duke i shtyrë të ndërhyjnë.

“Pasi doli nga vetura, ai nuk iu bind urdhrave dhe u desh të përdorim sprej lotsjellës. Më pas u fut në një veturë tjetër ku qëndroi për pak kohë, në gjendje të rëndë, i djersitur dhe me sjellje të çuditshme. Kemi kërkuar ambulancën dhe përforcime policore”, tha Nela.

Ai shtoi se kur Zejnullahu doli me vrull nga vetura, zyrtarët u detyruan ta ndalonin me forcë dhe ta prangosnin, pasi ai vazhdimisht rezistonte dhe përpiqej të gjuante me shqelma. “U përpoqëm ta qetësojmë dhe ta ndihmojmë me ujë, por gjendja e tij u përkeqësua. Ambulanca u vonua, edhe pse ndodhej vetëm 500 metra larg”, shtoi ai.

Zejnullahu, sipas deklaratës, nuk kishte shenja jete kur mjekët mbërritën në vendin e ngjarjes.

Tre nga pesë zyrtarët policorë të përfshirë në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan kanë dhënë dëshmitë e tyre para Prokurorit të Shtetit, ku përshkruajnë ndërhyrjen e tyre dhe sjelljen e të ndjerit gjatë incidentit të 7 korrikut.

Polici Albian Retkoceri tha se patrulla kishte pranuar një informacion urgjent se një person po sulmonte qytetarët në qendër të Lipjanit. Pasi arritën në vendin e ngjarjes, ai tregon se Zejnullahu doli me agresivitet në drejtim të veturës së policisë, duke sharë dhe tentuar të hapte derën. Retkoceri përdori sprejin lotsjellës për ta ndalur, ndërsa i dyshuari u fut në një veturë Golf të bardhë dhe qëndroi atje në gjendje të rënduar.

Sipas tij, ndihma mjekësore ishte kërkuar menjëherë, por ambulanca u vonua, ndonëse ndodhej vetëm pak qindra metra larg. Ai theksoi se Zejnullahu kishte sjellje të çrregullta, fliste fjalë pa kuptim dhe nuk i bindjej urdhrave.

Polici Artidon Kongjeli tha se, pasi morën thirrjen për asistencë, arritën në vendin e ngjarjes ku panë të dyshuarin brenda një veture. Ai përshkroi sjellje të pazakonta të Zejnullahut, duke dyshuar se ishte nën ndikimin e ndonjë substance. Ai ndihmoi në prangosjen e tij, por theksoi se kishte rezistencë të fortë nga ana e të ndjerit. Pas vendosjes së prangave, policët i dhanë ujë dhe u përpoqën ta ndihmonin deri në mbërritjen e ambulancës.

Kongjeli më pas ka parë një qese me substancë të dyshuar narkotike në afërsi të vendit ku ishte ndaluar Zejnullahu. Më vonë, ai intervistoi qytetarët që ishin sulmuar më herët nga Zejnullahu dhe mori pjesë në sigurimin e vendit të ngjarjes.

Dëshmitë e policëve tregojnë për përpjekje për të ndalur dhe qetësuar Zejnullahun, ndërsa përmendet disa herë se ai ka pasur sjellje agresive, gjendje të rënduar psikike dhe ka treguar forcë fizike të madhe. Rasti mbetet nën hetim, ndërkohë që familja e të ndjerit dhe opinioni publik po kërkojnë drejtësi.

Scroll to Top