Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
17 nentor 2025
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka nisur drejt Romës, me ftesë të homologut italian Antonio Tajani, për të përfaqësuar Kosovën në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Italofonisë, që do të zhvillohet më 17 dhe 18 nëntor 2025.
Ky forum, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë në bashkëpunim me shoqatën “Dante Alighieri”, synon të vendosë gjuhën italiane në qendër të diplomacisë kulturore, duke hapur një hapësirë dialogu mbi identitetin e përbashkët, ndërkulturën, paqen, zhvillimin ekonomik dhe rolin e kulturës në raportet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Gërvallës shihet si një sinjal i fuqishëm i miqësisë së qëndrueshme mes Kosovës dhe Italisë, si dhe një mundësi për të thelluar bashkëpunimin kulturor. Ajo pritet të vërë në pah rolin e mërgatës shqiptare në Itali, e cila prej vitesh shërben si “urë gjuhësore dhe kulturore”, duke afruar edhe më shumë dy vendet në skenën evropiane.

















