Dogana e Kosovës sekuestron mbi 1,000 pako barnash të dyshuara si të kontrabanduara në Ferizaj

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

05 shkurt 2026

Dogana e Kosovës ka vijuar me kontrollet intensive kundër kontrabandës me mallra, me fokus të veçantë në sektorin e barnave. Së fundmi, njësitë e antikontrabandës zhvilluan një aksion në Ferizaj, ku gjatë kontrollit në një poliklinikë private dhe një barnatore janë sekuestruar barna të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë mbi 30,000 euro.

Sipas Doganës, gjatë operacionit është zbuluar edhe një hapësirë e fshehtë (bunker) në bodrumin e poliklinikës, e cila shfrytëzohej për fshehjen e barnave. Në këtë hapësirë dhe në objektet e tjera janë konfiskuar 1,099 pako barnash pa banderola RKS, të regjistruara sipas specifikimeve zyrtare.

Ndër barnat e konfiskuara përfshihen Nexium, Jardiance, Xarelto, Janumet, Primolut, Microgynon, Cyclo-Progynova, Sintrom, Euthyrox/Eutirox, No-Spa, Ponstan, Diane, si dhe produkte të tjera farmaceutike të listuara zyrtarisht.

Rasti tani po trajtohet në procedurë të mëtejme ligjore, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në parandalimin e qarkullimit ilegal të barnave dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, në koordinim me institucionet përkatëse.

Scroll to Top