Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 shkurt 2025
Kanë kaluar dhjetë ditë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, përderisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur t’i numërojë të gjitha votat për subjektet politike e as për kandidatët për deputetë.
Në ueb faqen e KQZ-së potencohet se deri më tani janë numëruar 99.72% të votave, pa i përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës, me ç’rast VV-ja ka fituar 40.84% të votave, PDK-ja 22.05%, LDK-ja 17.67% dhe AAK-ja 7.45%.
Vonimi i shpalljes së rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkaktuar shqetësime të konsiderueshme në opinionin publik.
Problemet teknike gjatë procesit të numërimit të votave, përfshirë gabime në sistemet elektronike dhe vonesa në përpunimin e të dhënave, kanë shtuar dyshimet mbi transparencën dhe saktësinë e rezultatit përfundimtar.
Kjo ka krijuar një atmosferë pasigurie dhe ka ngritur pyetje për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor, duke minuar besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.
Për ish-kreun e KQZ-së, qytetarët s’duhet të kenë vend për dyshime.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur rreth vonesës se publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke sqaruar se kjo është shkaktuar nga probleme teknike.
Megjithatë, Baraliu ka paralajmëruar se nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky proces.
Ai ka siguruar opinionin publik se procesi zgjedhor nuk do të preket dhe se integriteti i tij është i garantuar.
“Kjo vonesë ndodhi për shkak të probleme teknike dhe kanë filluar të rikuperohen. KQZ ka filluar të bëjë verifikimin e rezultateve të votave të subjekteve politike në teren dhe numërimin për kandidatët për deputet. Kjo vonesë nuk dihet sa do të zgjasë. Nuk do të jetë i prekur dhe cenuar procesi i integritetit të procesit zgjedhor”, shprehet Baraliu.

















