Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Edhe pse jemi në fund të sesionit pranveror, Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar, pasi që nga 15 prilli 2025 deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Për pasojë, për herë të parë, përfundimi i sesionit i gjen deputetët në një vakuum institucional, pa mundësi për të hyrë në pushimin veror të zakonshëm.
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit, një legjislaturë konsiderohet e konstituuar vetëm pasi zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Deri atëherë, as sesioni nuk përfundon dhe as pushimet nuk nisin.
Kuvendi zhvillon punën në dy sesione – pranveror (janar-korrik) dhe vjeshtor (shtator-dhjetor) – por mungesa e konstituimit ka bllokuar kalendarin ligjor dhe funksional të institucionit.
Sipas analistëve politikë, bllokadat politike zakonisht ndodhin në formimin e qeverisë, por jo në konstituimin e Kuvendit, duke e bërë këtë situatë të pazakontë për Kosovën.
“Kuvendi nuk është konstituuar, prandaj nuk ka bazë ligjore që deputetët të shkojnë në pushim. Ndoshta mund të shkojnë për ndonjë ditë në plazh, por duhet të jenë gati për t’u kthyer për ndonjë seancë dyminutëshe”, ironizon analisti Avdi Smajljaj.
Në anën tjetër, duket se një “zgjidhje” e heshtur për pushime tashmë ekziston: seancat e fundjavës zhvillohen me më pak se 100 deputetë të pranishëm në sallë, duke treguar qartë se pjesa tjetër ka vendosur të pushojë – me apo pa konstituim.