Çmontuan mbi 900 banda”, Osmani sqarohet për deklaratën: Ka qenë një gabim i paqëllimshëm

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 nentor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sërish ka dhënë një sqarim për deklaratën se “çmontuam mbi 900 banda kriminale për pesë vjet”, gjë për të cilën ajo tha se u bë pa qëllim, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në qindra raste.

Para gazetarëve, Osmani theksoi se nga këto raste, 93 janë vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it.

“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si edhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as “Politico” nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”,tha Osmani për media.Mbrëmë pati edhe një deklaratë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, si sqarim për atë çfarë kishte thënë Osmani, duke theksuar se bëhej fjalë për raste e jo numër bandash.

“Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale. Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, tha mbrëmë Këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Scroll to Top