Cili është plani i SHBA-së për Bondsteel-in?;Zbulon eksperti i sigurisë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

18 gusht 2025

Kampi Bondsteel është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën komandën e KFOR-it në Kosovë. E vendosur në fshatin Sojevë të qytetit të Ferizajt, baza shërben si kryeqendër e NATO-s për Task Forcën Shumëkombëshe të Lindjes

Kjo bazë është ndërtuar në Kosovë, pas bombardimit të Serbisë kur rajoni ra nën kontrollin e misionit paqeruajtës ndërkombëtar, dhe është emëruar sipas veteranit të luftës së Ushtrisë së ShBA-ve, James Leroy Bondsteel.

Por, lufta në Ukrainë dhe qëndrimi neutral i Serbisë kanë bërë që Kosova të kërkojë që kjo bazë ushtarake të shndërrohet në një bazë të përhershme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në maj të vitit 2022 e ka kërkuar një gjë të tillë.

Ai kishte thënë se është absurde që Serbia, e cila ka qëndrim neutral ndaj zhvillimeve në Ukrainë, të jetë pjesë e këtij programi të NATO-s, ndërsa Kosova jo.

“Ne kemi kërkuar ndihmë për Kosovën në kuadër të Programit të Partneritetit për Paqe dhe kemi kërkuar gjithashtu që baza ushtarake amerikane në Bondsteel të përditësohet dhe të bëhet bazë e përhershme,”, kishte deklaruar Kurti.

Ndërsa, ministri i mbrojtjes në atë kohë, Armend Mehaj, e bazën e përhershme e konsideron kontribuese të paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.

Në një takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl, të zhvilluar para tri vitesh ai e kishte dhënë këtë propozim.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënsekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, pati deklaruar Mehaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, ndërsa marrëdhëniet diplomatike vazhdojnë sot e kësaj dite.

Ditë më parë, Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda të reja, të cilat janë blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan autoritetet përkatëse.

Ky furnizim vjen si pjesë e përpjekjeve për të modernizuar dhe fuqizuar kapacitetet operacionale të Forcës së Sigurisë, duke e bërë atë më të gatshme për të përballuar sfidat e sigurisë në vend.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se ky hap është dëshmi e qartë e partneritetit të palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-së.

Scroll to Top