Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
E para e shtetit, Vjosa Osmani ditë më parë është takuar me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Në këtë takim u diskutua çështja e sigurisë, dialogu strategjik, të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe çështje tjera.
Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje për takimin, gjersa ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
E para e shtetit po ashtu ka folur edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

















