Çfarë pritet të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit?

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

15 prill 2025

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancën konstituive të saj, e caktuar të nisë në orën 10:00.

Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 prill.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Në rastin e tanishëm, seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.

Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.

Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të domosdoshme votat e së paku 61 deputetëve.

Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do të përmbyllë konstituimin e institucionit ligjvënës të Kosovës.

Qëndrimet e subjekteve politike

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit dhe as nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend.

Nga kjo parti kanë theksuar se u nevojiten edhe dy vota për të arritur numrin prej 61 votash.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka siguruar 24 ulëse në Kuvend, kanë bërë me dije se deputetët e saj nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar se a do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por ka thënë se cilido person që nuk i ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila bashkë me partneren e saj në koalicion, Nismën Socialdemokrate, kanë tetë deputetë në Kuvend, kanë theksuar se “në parim, do të votojë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Subjektet politike të komuniteteve joshumicë kanë të garantuara 20 ulëse në Kuvend – 10 për partitë joserbe dhe 10 për ato serbe.

Nga partitë e komuniteteve joshumicë joserbe, sipas kryetarit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, janë siguruar shtatë vota për konstituimin e Kuvendit të ri dhe një qeverie të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në rast se zgjidhet kryetari i Kuvendit, do të procedohet edhe me zgjedhjen e nënkryetarëve, të cilët do të jenë nga tri partitë opozitare shqiptare dhe nga një nënkryetar nga komunitetet pakicë joserbe dhe nga komuniteti serb.

Scroll to Top