Çfarë pritet të ndodh pas 26 korrikut?

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

24 korrik 2025

Përderisa kanë mbetur edhe tri ditë afat kushtetues për konstituim të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mbanë shpresat tek një përgjigje pozitive nga Nisma Socialdemokrate për koalicion qeverisës.

Sipas deputetes, Arbëreshe Kryeziu një përgjigje e tillë duhet të jetë para datës 26 korrik.

“Ne po presim një përgjigje prej këtij subjekti politik. Jemi optimist se do të kemi një përgjigje pozitive të paktën deri në fund të kësaj jave, pasi po i afrohemi datës 26 korrik, kur edhe konsumohet 30-ditëshi në aktgjykimin e Kushtetueses. Një gjë e tillë duhet të ndodh para këtij afati sepse e kemi obligim dhe përgjegjësi secili prej deputetëve, pa marrë parasysh subjektet politike që të kontribuojë në konstatimin e Kuvendit”, theksoi ajo.

Kreu i PDK-së Krasniqi ndërkaq tha se pikëpyetje e madhe është se a kanë të drejtë ta konstituojnë kuvendin pas përfundimit të afatit kushtetues.

“Ne kemi dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, besoj edhe LDK po ashtu dhe deri tash nuk kemi marrë një aktgjykim. Kemi pritur shumë që kjo të ndodhë para datës 26, janë edhe tri ditë ndoshta do ta qartësonte së paku pjesën e votimit të fshehtë i cili në leximin tonë dhe të gjithë ekspertëve përveç atyre ekonomistëve të Vetëvendosjes që janë bërë ekspertë ligjor, të gjithë të tjerët e dimë që ndryshimi i rendit të ditës nuk mund të ndodhë. Nëse ne nuk arrijmë që ta konstituojmë kuvendin brenda 30 ditëve, pikëpyetje e madhe është se a kemi të drejtë ta konstituojmë në ditën e 31-të”, tha Krasniqi.

Ndërsa kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se është e paqartë se çfarë mund të ndodh pas afatit kushtues për konsituim të Kuvendit por sipas tij, Lëvizjes Vetëvendosje, duhet t’i merret e drejta për propozim të kandidatit për kryeparlamentar.

“Meqenëse kemi një rrjedhje të afatit dhe konsiderojmë se ka paqartësi nuk e shohim si të dëmshme apo të pavend. Nuk është thelbi i lëndës masa, por çka ndodh pas tridhjetë ditëve. S’kemi qartësi se çka ndodh tutje, përveç faktit që kushtetuesja ka thënë se moskonstituimi nuk shkakton zgjedhje të reja…Gjykata Kushtetuese është e qartë dhe thotë se e drejta për propozim i takon të parit dhe përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Nëse i pari nuk dëshiron të shfrytëzojë këtë të drejtë atëherë do të ishte e logjikshme dhe si përfundim se kjo e drejtë t’i merret dhe t’i kalojë atij që mund të bëjë. Kjo është një interpretim i një gjendje dhe ngërçi që na ka sjell në këto rrethana”, tha Abdixhiku.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese masë të përkohshme për pezullimin  e rrjedhjes së afatit për konstituim si dhe qartësi të pasojave juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinjan pezullimi i rrjedhjes së afatit mbetët shpresa e vetme.

Scroll to Top