Çfarë hapash duhet ndjekur drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 prill 2025

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian paralajmëroi shqyrtimin e mjeteve alternative ndaj dialogut, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt normalizimit të raporteve. Si e shohin njohës në Prishtinë dhe në Evropë rrugën përpara?

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm për dialogun, Peter Sorensen në ditët në vijim”.

Kështu deklaroi për Radio Evropa e Lirë (REL) përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, teksa tha se BE-ja është e interesuar të shohë përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, për Donika Eminin, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), ndonëse kjo deklaratë, siç shprehet ajo, mund të duket si “diçka pompoze e inovative, fatkeqësisht nuk është”.

Ajo thotë për REL-in se, nga vizita në Prishtinë e emisarit të BE-së për dialogun, dhe nga bisedat që ka zhvilluar në Bruksel, ka fituar përshtypjen se në bllokun evropian “tendencat janë që dialogu të kthehet sërish në nivel teknik, sepse BE-ja ende e konsideron dialogun teknik 2011-2013 si pjesën më të rëndësishme dhe më të suksesshme” të procesit.

Objektivi i dialogut

Megjithatë, sipas Eminit, nuk mund të jetë objektiv i ndërmjetësimit të BE-së normalizimi i raporteve mes dy vendeve, pa pasur qartësi se çfarë realisht nënkupton ai, sa do të zgjasë procesi dhe si do të përfundojë.

Emini vlerëson se BE-ja duhet ta përmbyllë procesin e dialogut me një marrëveshje që ka përmbajtje të qartë, e jo ta quajë veten vetëm lehtësuese të procesit dhe të thotë se sheh edhe instrumente të tjera përveç dialogut, për të arritur normalizimin.

“Përndryshe, vazhdojmë kështu në mënyrë teknike, njerëzit në BE paguhen të punojnë me ne, ndërsa ne e luajmë derën në rajon dhe i shtyjmë edhe pesë apo dhjetë vjet kështu, derisa të bëhet diçka më e madhe ose të ketë ndërhyrje nga aktorë jashtë BE-së”.

Scroll to Top