Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 maj 2025
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland i bëri thirrje Serbisë që “të bashkëpunojë lidhur me përpjekjet që të gjithë përgjegjësit për sulmin në Zveçan dhe në Banjskë të mbahen përgjegjës”. Gjithashtu, ai tha se Serbia duhet të përmbushë zotimin për bashkëpunim në hetimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Qeverisë britanike lidhur me raportin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialogun e Brukselit, si dhe të përmbushin “detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”.
Më 29 maj 2023 më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ishin plagosur në protestën e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të vendit.
Ata po protestonin kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Kjo kishte ndodhur pasi serbët atje i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale nga të cilat kishin dalë kryetarët shqiptarë. Thirrjet për bojkot ishin bërë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e cila mbështet nga Beogradi.
Në Kosovë, janë arrestuar disa persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Ndërkohë në Serbi, ende nuk dihet nëse po hetohet rasti i sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Ndërkaq më 23 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serbësh, në krye me ish-politikanin serb Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Terroristi Radoiçiq besohet se qëndron në Serbi.