Borxhi ndaj KRU “Prishtina” kalon 45 milionë euro, paralajmërohen shkyçje dhe procedime ligjore

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 dhjetor 2025

Borxhi i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” ka tejkaluar shifrën 45 milionë euro, duke përfshirë si sektorin familjar ashtu edhe bizneset e vogla dhe të mëdha në tetë komunat ku kjo kompani operon. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Sipas saj, rreth 40 milionë euro janë borxhe të amvisërive, ndërsa mbi 5 milionë euro u përkasin bizneseve. Ajo ka paralajmëruar se konsumatorët kanë 16 ditë afat për të shlyer obligimet, në të kundërtën rrezikojnë procedim te përmbaruesi privat ose shkyçje nga furnizimi me ujë.

Mjeku theksoi se furnizimi me ujë përfshin kosto të larta, pasi uji nuk vjen drejtpërdrejt nga burimet natyrore, por kalon nëpër impiantet e trajtimit dhe proceset teknologjike deri sa të arrijë te konsumatorët.

Ajo sqaroi se shkyçja mund të ndodhë në rast se një konsumator ka dy ose më shumë fatura të papaguara, pasi paraprakisht t’i jenë dërguar tri deri në pesë vërejtje. Përveç shkyçjes, rastet mund të dërgohen edhe për ekzekutim përmes përmbaruesve privatë.

Megjithatë, KRU “Prishtina” ka paraparë lehtësira për familjet me gjendje të rënduar ekonomike, duke u mundësuar që të paguajnë 10 për qind të borxhit, ndërsa pjesën tjetër ta shlyejnë me këste nga 12 deri në 36 muaj, pa interes shtesë.

Scroll to Top