Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 qershor 2025
Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, duke sjellë pasoja serioze për vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, paralajmëron se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë në muajt e ardhshëm nëse nuk arrihet zhbllokimi institucional.
Sipas tij, që nga 15 prilli, kur Kuvendi është dashur të konstituohej, Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme. “Në arenën ndërkombëtare tashmë janë të dukshme pasojat, përfshirë dështimin për të qenë pjesë e agjendës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka përgjegjësi ka shumica parlamentare,” tha Jakaj për RTK. Ai theksoi gjithashtu se në mungesë të Kuvendit, kanë mbetur të pezulluara dy marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, duke rrezikuar përfitimin nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Jakaj shton se bllokada ka pasoja të drejtpërdrejta edhe për qytetarët. Rritja e çmimit të energjisë për bizneset që nga qershori, në kuadër të liberalizimit të tregut, pritet të shkaktojë zinxhir të rritjes së çmimeve të produkteve bazë.
“Po vonohen edhe reformat kyçe në drejtësi, politikat sociale, pensionale dhe fiskale. Kosova është aktualisht në një pozitë të disfavorshme. Nëse bllokada vazhdon edhe gjatë muajve të verës, pasojat do të jenë edhe më të mëdha,” paralajmëroi Jakaj.
Ai shprehu shqetësimin se, për shkak të pushimeve verore, procesi i konstituimit të Kuvendit mund të vonohet edhe më tej, duke thelluar krizën institucionale në vend

















