Biznesmeni nga veriu i Kosovës në qendër të skandalit të ndërtimit në Serbi

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

04 dhjetor 2025

Radosh Petroviq, investitor nga veriu i Kosovës që po ndërton në Kragujevc të Serbisë, thotë se nuk ka kë kë të fajësojë pas shembjes së murit mbajtës pranë kantierit të tij më 28 nëntor, incident ky që rrëshqiti një pjesë të rrugës drejt një grope disa metra të thellë dhe u bë menjëherë viral.

“Më e rëndësishmja është që të mos ketë të lënduar”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria në Kragujevc njoftoi më 2 dhjetor se ka urdhëruar hetime në vendngjarje për të përcaktuar nëse ka elementë të veprës penale. Petroviq thotë se ende nuk është kontaktuar nga autoritetet.

Zona e shembur ndodhet pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Qendrës së Ekselencës – një objekt shkencor ende i papërdorur – dhe është rrethuar me shirit policor. Ndërkohë, në parcelën fqinje po ngrihet një ndërtesë gjashtëkatëshe e kompanisë “RP Invest 1980”, në pronësi të familjes Petroviq. Por, sipas Regjistrit të lejeve të ndërtimit në Serbi, për këtë lokacion nuk ka leje ndërtimi, ndërsa kërkesa e kompanisë është refuzuar vetëm një ditë para shembjes.

Pavarësisht kësaj, punimet kishin avancuar shumë. Dokumentet dhe imazhet satelitore tregojnë se gërmimet dhe ngritja e kateve kanë vijuar edhe para marrjes së lejes për punë përgatitore, ndërsa Inspektorati i Ndërtimit vizitoi kantierin për herë të parë vetëm më 21 nëntor, duke urdhëruar pezullimin e punimeve. Petroviq thotë se mospërputhjet në dokumente janë “çështje teknike”.

Kompania e tij “RP Invest 1980” – me vetëm dy të punësuar – regjistroi të ardhura mbi 15 milionë euro në vitin 2024. Në të njëjtën adresë figurojnë edhe kompanitë “RP Euro Invest” dhe “Green Park Building”, gjithashtu me qarkullim të lartë.

Petroviq ka realizuar projekte të financuara nga Qeveria e Serbisë në veri të Kosovës, përfshirë lagjen “Sunčana dolina” në Zveçan dhe një hotel në Banjskë. Disa prej këtyre ndërtimtarive janë kontestuar nga institucionet e Kosovës si të paligjshme. Ai u arrestua në vitin 2023 gjatë përplasjeve në Zveçan dhe në 2024 pranoi fajësinë për pjesëmarrje në turma të dhunshme, duke u dënuar me gjobë.

Ndërkohë, për shembjen në Kragujevc, kompania “Inobaçka”, që ndërtoi Qendrën e Ekselencës, pretendon se rruga ka qenë e sigurt dhe se punimet e “RP Invest” kanë dëmtuar stabilitetin e saj. Autoritetet lokale, megjithatë, fajësojnë reshjet e dendura.

Petroviq thotë se ka angazhuar ekspertë për sanimin e situatës dhe se stabilizimi i zonës do të përfundojë brenda pak ditësh. “Të gjitha ndërtesat përreth janë të sigurta”, pohon ai.

Scroll to Top