bislimi udheton per ne shba

Bislimi pas takimit me Sorensenin: Diskutuam për bllokimin e ndihmave të Qeverisë për Luginën e Preshevës

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

03 qershor 2025

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar sot me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen

Bislimi pas takimit tha se u diskutua për shumë tema e veçanërisht për fazat e ardhshme të bisedimeve me Serbinë.

“Përshembull kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre përshembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia. Pastaj ngritëm temën e kostove shumë të mëdha që po lindin nga mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë  humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe barrierat që në vazhdimësi Serbia në mënyrë artificiale po i vendos”, u shpreh Bislimi.

Poashtu Bislimi, ka deklaruar se gjatë diskutimeve të fundit në Bruksel është trajtuar edhe çështja e mbështetjes që Qeveria e Kosovës po i jep Luginës së Preshevës, përkatësisht përmes ndihmave për fermerët shqiptarë. Ai tha se këto ndihma janë bllokuar nga autoritetet serbe në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke kërkuar një reagim të shpejtë për zhbllokimin e mjeteve.

“Diskutuam për një proces shumë të rëndësishëm që lidhet me mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sidomos përmes ndihmave për fermerët e vegjël, të cilat Serbia i ka bllokuar në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kërkuam që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe mjetet të zhbllokohen sa më parë,” tha Bislimi.

Ai theksoi gjithashtu se është trajtuar edhe fushata e gjerë dezinformuese e Serbisë, e cila, sipas tij, po synon të mashtrojë partnerët ndërkombëtarë dhe të rrisë presionin mbi qytetarët serbë në Kosovë.

Në lidhje me takimin e paraparë trilateral, Bislimi sqaroi se ai nuk është realizuar për shkak të komplikimeve logjistike me ekipin serb, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë.

I pyetur për ndikimin e ngërçit politik në Prishtinë në procesin e dialogut, Bislimi pranoi se ka sfida, por theksoi se nuk duhet humbur rastet kur mund të arrihet përparim.

“Nuk ka dyshim se situata e brendshme politike e vështirëson mbajtjen e takimeve të nivelit të lartë. Megjithatë, janë disa tema ku mund të arrihet përparim nëse Serbia tregon qasje konstruktive. Do të ishte gabim që Kosova t’i humb këto mundësi për shkak të pengesave në konstituimin e Kuvendit,” u shpreh ai.

Scroll to Top