bislimi udheton per ne shba

Bislimi: Brukseli i anshëm në dialog; Serbia ka marrë përfitime pa zbatuar marrëveshjet, Kosova ende e bllokuar

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

31 maj 2025

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e deritanishme të negociuara nga Brukseli

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, mori pjesë në panelin “Më shumë Europë, për një Europë më të fortë?” që u zhvillua në Aachen të Gjermanisë.

Bislimi tha se në rend të parë është normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe objektiva e dytë është mbështetja e palëve në zbatimin e marrëveshjeve paraprake. Ndërkohë kemi pasur ndërhyrje nga vendet mike me një marrëveshje të ndërmjetme e cila njihet si “Marrëveshja Bazike e Brukselit” apo “Marrëveshja e Ohrit” e cila përfshin edhe marrëveshjet e tjera paraprake

Ai tha se është fjala për një marrëveshje që përmban brenda 39 marrëveshje të tjera dhe jo marrëveshjen për Asociacionin. Kjo është narrativa e Serbisë e cila do ta reduktojë Marrëveshjen Bazike në një rikonfirmim të Asociacionit por kjo marrëveshje ka 11 nene dhe në asnjërin nen nuk përmend specifikisht Asociacioni por përmendet detyrimi i palëve për t’i zbatuar marrëveshjet paraprake. Ndërkaq është konstatim i përbashkët i Kosovës dhe i Bashkimit Europian që përkundër faktit se pjesa më e madhe e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel kanë kërkuar veprime nga ana e Kosovës dhe jo nga e Serbisë, megjithatë lista e mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e Serbisë është dyfish më e gjatë se ajo e Kosovës. Pra ka shumë marrëveshja që Serbia duhet t’i implementojë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Serbia ka përfituar ndjeshëm nga marrëveshjet me Kosovën, pa i përmbushur detyrimet e veta. Ai theksoi se megjithëse Serbia ka marrë 2/3 e përfitimeve menjëherë pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova nuk ka përfituar asgjë. Ndërkohë që Serbia ka kërkuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe garanci për mosprezencë të ushtrisë në veri pa koordinim me KFOR-in, Kosova ka kërkuar ndaljen e strukturave paralele dhe mosbllokimin në integrime ndërkombëtare – kërkesa që, sipas Bislimit, Serbia nuk i ka respektuar.

Më tej zëvendëskryeministri në detyrë ka theksuar se Kosova nuk ka marrëveshje për Asociacionin si entitet autonom, por vetëm një marrëveshje për normalizimin e raporteve, ku parashihej që një grup serb të hartonte draft-statutin, gjë që nuk ka ndodhur për më shumë se një dekadë.

Bislimi ka kritikuar edhe Bashkimin Europian për mungesë presioni ndaj Serbisë, duke thënë se BE-ja ka qenë më e përkushtuar të plotësojë kërkesat e Beogradit sesa të sigurojë që edhe Kosova të marrë pjesën e saj të dakorduar.

Scroll to Top