Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 dhjetor 2025
Në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, ku kryetarët e rinj të Listës Serbe bënë betimin dhe zyrtarisht morën drejtimin e komunave.
Ceremonitë e betimit u zhvilluan në prani të simboleve shtetërore të Kosovës, ndërsa në disa raste u vunë re edhe flamuj të Serbisë.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi përmes Facebook-ut se seancat anembanë vendit u zhvilluan “në rregull dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese”. Ai u uroi kryetarëve të rinj një mandat të suksesshëm.
Komunat me shumicë serbe në veri kishin qenë të udhëhequra nga kryetarë shqiptarë që nga maji 2023, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe patën dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë.
Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Lista Serbe pranoi se ishte gabim largimi nga institucionet, duke theksuar se ky hap ishte ndërmarrë për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mbi “situatën e rëndë” të serbëve në vend.
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Ellek, njoftoi më 3 dhjetor se kryetarët e rinj – Millan Radojeviç (Mitrovicë e Veriut), Zoran Todiç (Leposaviq), Dragisha Milloviç (Zveçan) dhe Millosh Peroviç (Zubin Potok) – do të kërkojnë qasje në të gjithë dokumentacionin komunal pas marrjes së detyrës. Po ashtu, partia ka paralajmëruar anulimin e të gjitha vendimeve që i konsideron “jolegjitime”, të miratuara nga kryetarët shqiptarë.
Pas zgjedhjeve të tetorit, Bashkimi Evropian u shpreh për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri, në bashkëpunim me institucionet qendrore, të punojë në mënyrë konstruktive për adresimin e nevojave të popullatës, në përputhje me ligjet dhe institucionet.

















