Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 nentor 2025
Ndarja mes komunitetit serb dhe atij shqiptar në Kosovë mbetet e thellë, ndërsa urat e besimit mes tyre duket se janë ende në riparim, sipas hulumtimit më të ri të Qendrës për Veprime Shoqërore (CASA).
Raporti me titull “Indeksi i Besimit: Gjendja e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë”, i prezantuar më 13 nëntor në Prishtinë, tregon një panoramë ku dy komunitetet shikojnë njëri-tjetrin me dyshime të forta. Hulumtimi përfshiu 800 persona – 500 shqiptarë dhe 300 serbë – duke u fokusuar te perceptimet reciproke, faktorët që tensionojnë marrëdhëniet dhe perspektivat për një bashkëjetesë më harmonike.
Rezultatet tregojnë se mbi gjysma e serbëve (51%) besojnë se marrëdhëniet me shqiptarët do të përkeqësohen, ndërsa vetëm 28% e shqiptarëve e shohin të njëjtën gjë. Të dyja palët e fajësojnë politikën për tensionet: mbi 70% shohin tek marrëdhëniet Beograd-Prishtinë shkakun kryesor, 79.6% e shqiptarëve fajësojnë qeverinë serbe, ndërsa 74.5% e serbëve e vendosin përgjegjësinë mbi qeverinë kosovare.
Kur bëhet fjalë për çelësin e paqes, serbët e shohin tek autonomia e tyre (62%), ndërsa shqiptarët mendojnë se integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare (44%) është rruga drejt stabilitetit.
Miodrag Marinkoviq, drejtor i CASA-s, vlerësoi se “besimi i dëmtuar është pasqyrë e politikës populiste”, që ndikon jo vetëm te marrëdhëniet etnike, por edhe te përditshmëria e qytetarëve dhe procesi i pajtimit.
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit Musine Kokalari, shtoi se komunitetet shqiptare dhe serbe jetojnë në frikë dhe iluzione reciproke. Shqiptarët shohin Kosovën si shtet vetëm për ta, ndërsa serbët mbajnë iluzionin se territori mund të rikthehet nën Serbi. “Derisa këto iluzione mbeten, urat e bashkëjetesës do të qëndrojnë të paqëndrueshme,” tha ai.
Raporti i CASA-s hedh dritë mbi një realitet të ndarë, duke treguar se paqja në Kosovë kërkon më shumë sesa fjalë – ajo kërkon ripërtëritje të besimit, hapje urash dhe çlirimin nga frika dhe iluzionet.

















