Besim Kelmendi padit KPK-në, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Besim Kelmendi, i shkarkuar më 20 nëntor 2025 nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka paraqitur padi kundër KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të marrë nga ky institucion.

Në padinë e dorëzuar, Kelmendi ka propozuar gjithashtu caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të KPK-së dhe vazhdimin e ushtrimit të detyrës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit deri në shqyrtimin meritues të çështjes.

Shkarkimi i Kelmendit u bë me votat e pesë anëtarëve të pranishëm të KPK-së, pas largimit të tij dhe katër anëtarëve të tjerë, që çoi në mbylljen e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit.

Në padi theksohet se vendimi i KPK-së nuk është marrë përmes procedurës disiplinore, dhe për këtë arsye, Kelmendi nuk ka pasur mundësi të përdorë ankesën si mjet juridik në Gjykatën Supreme, sikurse e garanton ligji. Sipas tij, vendimi është marrë vetëm nga pesë nga 10 anëtarë të zgjedhur, duke u konsideruar si akt administrativ, por jo me kuorum të plotë.

Sipas padisë, mbledhja e 20 nëntorit u thirr për shqyrtimin e raportit të komisionit zgjedhor për prokuroritë themelore, por zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi futjen e pikës për shkarkimin e Kelmendit. Pesë anëtarë, përfshirë Kelmendin, kundërshtuan propozimin dhe dolën nga mbledhja, duke shkaktuar rënien e kuorumit.

Kelmendi argumenton se vendimi i KPK-së është i marrë në mungesë të kuorumit dhe, si rrjedhojë, është i pavlefshëm. Ai thekson se shkarkimi i paligjshëm dëmton drejtpërdrejt autoritetin, integritetin dhe figurën e tij publike, duke krijuar një dëmtim të pakthyeshëm nëse nuk merret masa e menjëhershme e pezullimit të vendimit.

Scroll to Top